KOMUNIKATË PËR MEDIA: ORGANIZATAT RINORE PA MBËSHTETJE FINANCIARE, RINIA MBETET PA SHËRBIME.

KOMUNIKATË PËR MEDIA
ORGANIZATAT RINORE PA MBËSHTETJE FINANCIARE, RINIA MBETET PA SHËRBIME.
Organizatat jo-qeveritare rinore dhe organizatat e profilizuara me punën me rininë nëpërmjet kësaj komunikate shprehin pakënaqësinë e thellë në lidhje me parregullësitë e shprehura në procesin e vlerësimit të aplikacioneve, shqyrtimit të ankesave, dhe mungesën e mbështetjes financiare ndaj organizatave rinore nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, respektivisht në kuadër të “Thirrja per projekt­-propozimet ne fushen e rinise 2023 per OJQ, publikuar me 23 mars 2023”
Tanimë jemi mësuar me shprehjet vlerësuese për rininë si “Shpresa e Kosovës”, “E ardhmja e Kosovës”, poashtu me mburrjen kombëtare që popullësia e Kosovës përbëhet me 47% të popullësisë në grupmoshën 15-30 vjeç. Poashtu, jemi dëshmitarë të migrimit të madh nga Kosova, zhgënjimit të rinisë me vendin tonë të cilat vijnë si rrjedhojë e mungesës së shërbimeve rinore dhe përkrahjes për zhvillim të potencialit tonë si rini.
Përkundër këtij realiteti, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit si mbështës kryesor i organizatave rinore, dhe si administrator i buxhetit publik për rininë, nëpërmjet thirrjes për projekt propozime në fushën e rinisë për vitin 2023 ka përjashtuar plot 191 organizata në mesin e të cilave pjesa më e madhe e tyre janë të profilizuara në punën me rini dhe kanë një portfolio tashmë profesionale edhe me donatorë ndërkombëtar.
Edhe pse vlerësojmë qëllimin e kësaj ministrie që të diversifikojë format e mbështetjes dhe të lehtësoj procesin e aplikimit, ne duhet të vërejmë që ky proces ka shënuar një numër problemesh të cilat e kanë lënduar rëndë transparencën në vendimmarrje dhe vendimmarrjen meritore.
I tërë procesi i financimit është shoqëruar me probleme edhe në aplikim, ku janë prezantuar kërkesa të reja pa dhënë hapësirë kohore për ndërtim të kapaciteteve, nuk janë ofruar dokument-shabllone për aplikim, ndërsa ka pasur edhe probleme teknike përgjatë aplikimit elektronik. Për më tepër që lista e projekteve të refuzuara është bërë publike në ditën e mbylljes së afatit të ankesave për projektet në listen preliminare, bashkë me përmbajtjen e vlerësimit të projekteve të secilës organizatë, nga komisioni vlerësues të cilat i konsiderojmë se jo-profesionale dhe jo-meritore.
Si rrjedhojë, në konsiderojmë se një thirrje publike e kësaj natyre duhet të bëhet në bashkëpunim me organizatat rinore dhe jo të prezantohen skema në kurriz tonin, që rrjedhimisht reflektohet në mungesë të shërbimeve dhe mbështetjes adekuate për rininë kosovare.
Bazuar në listën preliminare nga 450,000EUR që janë alokuar për rini, del se përkrahja për organizatat rinore dhe projektet e tyre për rininë kosovare për vitin 2023 do të jetë vetëm 83,000EUR, duke shtuar faktin se në këtë listë ka projekt i cili nuk përshtatet me asnjërën nga objektivat e thirrjes për projekt propozime, ndërsa ka edhe një mungesë të balancit mes zonave rurale dhe zonave urbane, duke diskriminuar pjesën më të madhe të rinisë në Kosovë.
Rrjedhimisht, nëpërmjet kësaj komunikate organizatat rinore shprehin pakënaqësi dhe prezantojnë këto kërkesa emergjente:
1. Të rivlerësohen projektet, rrjedhimisht të krijohet një komision i ri vlerësues i cili do të operoj përgjatë muajit gusht.
2. Organizatat të cilat kanë aplikuar në këtë thirrje, t’u mundësohet të riaplikojnë duke plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.
3. Të krijohet rregull i cili mbylljen e projekteve ose avanseve nuk e vendosë si kriter për aplikim, por kriter për nënshkrim të kontratës, ashtu që të krijohen mundësitë dhe afatet kohore të përshtatshëm për përfshirje të organizatave, jo përjashtim.
4. Të krijohet dokumentacion/shabllon i pranimit të projekt-propozimeve, në mënyrë që organizatat të mos përjashtohen në mungesë të një informate apo dokumenti që mund të jetë teknik.
Financimi i organizatave rinore në nivel të përgjithshëm, përcillet vit pas viti me probleme të ndryshme, për çka ne si organizata rinore paraqesim këto kërkesa afatgjata:
1. Të rritet buxheti për rini, ashtu që përkrahja e sektori i rinisë të jetë i barabartë me sektorët tjerë si Kulturë e Sport.
2. Të krijohet një plan financimi i qëndrueshëm në kuadër të të cilit mundësohet financim përgjatë tërë vitit, rrjedhimisht thirrja për projekt propozime të hapet më së voni në Nëntor të vitit paraprak, ndërsa rezultatet të publikohen më së voni në Shkurt të vitit të radhës, ashtuqë implementimi i projekteve të filloj nga Mars. Në të kundërtën implementimi i projekteve vetëm brenda 4 muajve – Gusht – Dhjetor, krijon probleme në mungesën e programeve pë rininë gjatë pjesës ma të madhe të vitit, probleme në qëndrueshmëri te organizatave dhe keq menaxhim të financave publike.
3. Të krijohet një komision i veçantë ad-hoc i cili do të bëj vlerësimin e projekteve dhe të identifikohen forma në mënyrë që të gjitha avanset e hapura të mbyllen, pasiqë organizatat nuk mund të penalizohen në mungesë të resurseve njerëzore të MKRS.
4. Të sigurohet një përkrahje financiare gjithëpërfshirëse në raport me zonat rurale dhe zonat urbane dhe mes organizatave që konsiderohen të mëdha dhe organizatave të vogla.
5. Të krijohet një komision i jashtëm i cili bën vlerësimin e performancës së Departamentit të Rinisë, me pjesëmarrje të shoqërisë civile dhe të merren vendime karshi rekomandimeve të këtij komisioni.
Në linjë me ankesën tonë publike, ne do të dërgojmë këtë ankesë tek MKRS, respektivisht drejt Sekretarit të Përgjithshëm dhe Ministrit z. Çeku, ndërsa paralajmërojmë edhe protestë të organizatave dhe aktivistëve rinor. Bëjmë thirrje për një çasje bashkëpunuese, ashtuqë të kemi një proces të suksesshëm.
Kjo komunikatë përkrahet nga këto organizata rinore:
1. Grupet Mbështetëse për Shëndet Mendor të Kosovës
2. ACTIVISM ROOTS
3. Qendra e Rinisë Drenas
4.Vullnetarët e Qytetit VEQ – Gjilan
5. Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
6.Fuqizimi i Gruas dhe Rinisë, Suharekë
7. Vizioni Rinor i Shales
8. Assist Kosovo Center – ASSIST
9. Qendra Rinore Obiliq
10.Leadership Development Association Europe
11. Kuvendi i të Rinjve të Kosovës
12. United Towards Art
13. DYVÓ
14. KVRL – Malisheve
15. EYD
16. OJQ Me dore ne zemer
17. KVRL Obiliq
18. Let’s Do It – Kosova