REAGIM PËR PUNËSIMET PARTIAKE E FAMILJARE

Organizata ACTIVISM ROOTS përmes kësaj komunikate, reagon për rastin e punësimit familjar në komunën e Gjakovës. Gjatë javës së kaluar, më saktësisht me datën 7 Korrik 2022, janë publikuar rezultatet e konkursit ‘Specialist i Administrimit të Përgjithshëm’ ku një ndër kandidatet e pranuar është motra e Menaxherit të Burimeve Njerëzore në komunën e Gjakovës.
Punësimet e tilla ndër vite kanë sjell pakënaqësinë tek të rinjtë dhe qytetarët e komunës së Gjakovës, të cilat kanë shkaktuar edhe largimin e shumë të rinjëve nga Gjakova duke iu pamundësuar trajtimin e barabartë dhe duke krijuar qasje selektive ndaj kandidatëve. Në asnjë moment ne nuk paragjykojmë kualifikimet e personit në fjalë, por pozita që njëri nga familjarët e ushtron sjell konflikt interesi bazuar në ligjin Nr.06/L-011 ‘Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik’.
Punësimet partiake dhe familjare janë të papranueshme dhe tepër shqetësuese për trajtimin jo të barabartë mes kandidatëve. Këto punësime partiake dhe familjare, krijojnë pakënaqësi tek qytetarët dhe mosbesim ndaj institucioneve komunale. Kërkojmë urgjentisht që ky rast të inicohet dhe të procedohet sipas ligjeve në fuqi, poashtu kërkojmë nga komuna e Gjakovës që t’i parandaloj punësimet e tilla dhe të mos krijohen raste të përsëritura.
ACTIVISM ROOTS
12 KORRIK 2022, GJAKOVË