Ne si organizatë jemi të shqetësuar me stagnimin e punimeve në ‘Eshnoren përkujtimore’ dhe shprehim pakënaqësinë me punën e deri tanishme. Bazuar në informacionet që i kemi pranuar qysh nga fillimi i punimeve dhe duke i krahasuar me procesin deri më tani, punimet në objekt kanë mbetur pezull duke mos pasur përparim mbi 8 muaj.
Organizata ACTIVISM ROOTS që nga muaji Gusht 2021 monitoron projektin e ‘Revitalizimit të Eshnorës përkujtimore’ duke praktikuar sistemin e auditimit social dhe gjithashtu kontribuon vazhdimisht që revitalizimi i këtij objekti të bëhet në mënyrën e duhur sipas kontratës dhe ligjeve në fuqi. Gjatë monitorimit kemi hasur në të gjetura shqetësuese të cilat i kemi rekomanduar tek institucioni përgjegjës për rregullimin e tyre.
Rekomandimet tona janë:
- Bazuar në projektin zyrtar, pas revitalizimit iu pamundësojnë gjithëpërshirjen e qytetarëve. Mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar, iu pamundëson vizitat në objektin e ‘Eshnores përkujtimore’.
- Mungesa e ndriçimit rreth objektit dhe mungesa e gjelbërimit.
- Mungesa e një tabele informuese para objektit është më se i nevojshëm për turistët por edhe për qytetarët vendas.
- Shfrytëzimi i hapësirës para objektit si parking privat është keqpërdorim i hapësirës publike dhe kjo duhet të rregullohet sa më shpejtë.
- Të rregullohet akustika brenda objektit nëse shëndrrohet në amfiteatër veror sipas projektit pasiqë akustika e tanishme e pamundëson një gjë të tillë.
- Të rishikohet plani për rregullimin e mozaikut të vendosur lartë në objekt.
Ftojmë institucionet përgjegjëse që t’i përgjigjen këtij reagimi dhe të fillojnë punimet në objektin e ‘Eshnorës përkujtimore’ e cila ka mbetur e njëjtë që nga muaji Shtator i vitit të kaluar. Revitalizimi i objekteve të trashëgimisë kulturore kanë rëndësi të veçantë dhe duhet kushtuar më shumë vëmendje nga institucionet. Shpresojmë që shqetësimet dhe rekomandimet tona të mirren parasysh sa më shpejtë!
ACTIVISM ROOTS
28.06.2022, GJAKOVË